MЁNYRA E ABDESIT

 
Mos iu gėzo fatkeqėsisė dhe mėkatit tė tjetrit! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 01 korrik 2008

A mund të quhet mirësjellje, morali dhe cilësia e atij, i cili kënaqet me fatkeqësinë dhe mëkatimin e tjetrit?
         



   
"Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit." 

 Nuk ka dyshim se një nga gjërat, që i largon njerëzit nga Allahu i Lartësuar dhe i dorëzon me të hedhur (gjuajtje) të fuqishme në tabor të "forcës" së keqe, është pasimi djallëzor. Por, nëse ndalemi dhe analizojmë deklaratat hyjnore kuptojmë se sa i nderuar tek Allahu është njeriu i udhëzuar, e në veçanti pasuesi i denjë i Sunnetit të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Zaten, jo rastësisht ka zbritur citati kur’anor i lartpërmendur, ajeti 4 i kaptinës Kalem.

Tregohet se është pyetur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, rreth të mirës dhe të keqes, e ai është përgjigjur:

"E mira është virtyti dhe devotshmëria, kurse e keqja është ajo që të shtrëngon dhe bezdis zemrën dhe nuk dëshiron që ta marrin vesh të tjerët."

Lidhur me këtë hadith kuptojmë se, po të jesh njeri i devotshëm nuk do të kënaqesh në fatkeqësinë dhe mëkatin e tjetrit, përkundër kësaj, do të shqetësohesh dhe ndihesh sikurse të kishte ndodhur ty. Për këtë, ka thënë Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

"Besimtarët janë si një trup, nëse diku dhemb, dhemb i gjithë trupi."

Përderisa realiteti i drejtë fetar islam është kështu (të ndjesh dhimbje e jo të kënaqesh në fatkeqësinë e tjetrit), realiteti i sotshëm praktik çfarë është tek ne!?

A mos vallë mund ta shkoqitim ndonjë sekuencë nga përditshmëria e përgjithshme e muslimanëve sot e ta rendisim në vargun e shembujve antologjikë të besimtarëve të mëhershëm, apo s'kemi diçka të tillë, sepse zemrat dhe shpirtrat tanë i ka shkatërruar dhe nxirë karriera, xhelozia, mëria, etj.?

Nëse ndokush gëzohet, dëfrehet e kënaqet me fatkeqësitë dhe mëkatimet e tjetrit le të kuptojë se është në një pasim epshi të vrullshëm e kobzi, siç thotë populli, pasim ky i cili ia zbrazë kokën nga mendimet, mësimet dhe gjërat e mira. E bën të jetë pa shqetësime, pa preokupime, dhe edhe më keq se këto ia nxijnë tërë zemrën dhe qenien e tij, saqë e barazojnë me djallin.

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

"Nuk ka gjë më të rëndë në peshoren e besimtarit Ditën e llogarisë sesa sjellja e mirë, dhe gjëja më e urryer tek All-llahu është sjellja e keqe…"

Andaj, a mund të quhet mirësjellje, morali dhe cilësia e atij, i cili kënaqet me fatkeqësinë dhe mëkatimin e tjetrit, apo të tillin mund ta quash injorant e të humbur, i cili tenton ta humb gjithë botën njerëzore si veten e tij.

Një urtësi thotë:
"Buzëqeshja është truri i çdo adhurimi."

Ndërsa i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

"E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit ai i cili është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si të dërguar."

E nuk paska thënë për kënaqësinë e atij kur kënaqet e gëzohet në fatkeqësi e bela të tjetrit.

Nuk ka njeri të pamëkate e as njeri që nuk përballet me bela e mynxyra të ndryshme në këtë botë. Ato janë të natyrave të ndryshme, dhe jo rastësisht Allahu i ka lënë të asaj mënyre, ndoshta që ta privojë njeriun se si e sa është i gatshëm t’i ndihmojë atij që është në provim me mëkatin apo fatkeqësinë dhe si të dalë apo shpëtojë prej tyre, e nuk i ka lënë që të kënaqemi apo të dëfrehemi.

Me lejen tuaj, do doja ta digresionoj një shembull por, paraprakisht duke kërkuar ndjesë. Me një mike ishim në vizitë tek shoqata e të verbërve në kryeqytet, dhe në bisedë e sipër njëra prej të verbëtave, por që ishte profesoreshë e pedagogjisë, na tha një fjalë që s’mund të harrohet kurrë nga kushdo që do të kishte rastin ta dëgjonte e jo vetëm nga ne, edhe pse kujdeseshim në skajshmëri se çfarë flisnim (për të mos i  lënduar). Ajo (e verbëta) na tha:
"Nuk është për t’iu ardhur keq pse ne nuk kemi sytë, me të cilët mund të shihnim botën, sepse kjo sprovë e jona është sprovë për ju; se sa jeni të kujdesshëm ju që shihni ndaj neve që nuk shohim…"

Lidhur me këtë kisha thënë se nëse kënaqësia dhe dëfrimi ynë është kur shohim të tjerët në fatkeqësi e mëkatim, ne kemi një jetë të pastabilizuar, vazhdimisht në ankthe e dënime shpirtërore.

E për të mos i pasur këto shëmtira dhe për të qenë të qetë, stabilë, të lumtur dhe vigjilentë duhet të jemi të kënaqur me Muhamedin alejhis-selam si pejgamber dhe ta marrim shembullin e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, si shembullin më të lartë dhe si modelin më të përsosur për ne, si dhe ta ndjekim vetëm rrugën e tij derisa ta pastrojmë shpirtin dhe qenien tonë ashtu siç pastrojmë rrobat e bardha nga njollat që u bien. Sepse, vetëm përmes shembullit të tij mund të mbesim gjallë në të dy botët e asnjëherë përmes shembullit të ndokujt tjetër. Ai tha:

“Nuk ka besuar (me besim të plotë) askush prej jush përderisa nuk e do për vëllanë e vet atë që e urren për vete”

Dijetarët, duke shpjeguar këtë hadith thonë se ky përfshin edhe anën e kundërt, që do të thotë se nuk ka besuar askush prej jush përderisa nuk e urren për vëllanë e vet atë që e urren për vete.      
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.