MЁNYRA E ABDESIT

 
Motra Soraja (Kim Muhring) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e hėnė. 09 qershor 2008

Derisa rritesha kurrë nuk isha e lumtur sepse ndjeja sikur më mungonte diçka.





Jam rritur në një familje ateiste. Në fakt, familja ime e ka urrejtur religjionin (në veçanti katolicizmin). Më kujtohet kur nëna ime më tregonte se kur ajo ishte fëmijë,  ishte traditë që kur prifti i qytetit kalonte, njerëzit duhej t’i përuleshin dhe ajo më ka treguar se prindërit e saj e kishin refuzuar këtë. Sepse, ata nuk donin t’i përuleshin askujt.

Por, nëna ime gjithmonë ishte e interesuar për fetë e tjera posaçërisht për Islamin, por jo pse ajo besonte në Zot (ajo nuk besonte në asgjë – Allahu e faltë atë), por sepse në kohën e saj të lirë ajo ishte e përfshirë në punë shoqërore me njerëz marokenë. Ajo ka vizituar Marokun katër herë (një herë me një organizatë shoqërore, dy herë me mua, para se të bëhesha muslimane, dhe herën e fundit dy muaj para se të vdiste) sepse ajo e donte vendin dhe kulturën e Marokut shumë. Ajo gjithashtu studioi në universitet, kur ishte 45 vjeçare, krahasimet e feve – posaçërisht Islamin. Ne pastaj u shpërngulëm në lagjen ku jetonin shumë muslimanë…

Unë, gjithashtu, jam rritur me njerëz marokenë (posaçërisht në vitet e adoleshencës kam pasur shumë shokë – Allahu më faltë për gjërat që i kam bërë), por elhamdulilah,  Allahu gjithmonë më ka ruajtur, sepse isha në shumë situata të rrezikshme dhe asgjë e keqe nuk më ka ndodhur.

Derisa rritesha kurrë nuk isha e lumtur sepse ndjeja sikur më mungonte diçka. Nuk e dija pse po jetoja dhe ndjeja se çdo gjë do të bëhej më mirë nëse unë s’do të isha atypari. Në të vërtetë, nuk bëra vetëvrasje (elhamdulilah), sepse e dija se kjo do ta lëndonte shumë nënën time.

Djemtë që i kam njohur nuk kanë qenë shumë fetarë, shumë prej tyre madje nuk e agjëronin as Ramazanin. Por, atëherë në moshën 18 vjeçare unë e takova të dashurin tim të fundit (para se të hyja në Islam). Ai nuk e praktikonte Islamin gjithashtu, por ai më tregoi shumë gjëra për fenë e tij dhe kjo më shtyri mua të interesohem për njohjen e Islamit. Kështu që, kur ai më tregoi për Zotin dhe për gjëra të tjera, fillova të mendoj se besimi në Zotin do të më jepte arsyen për të jetuar.

Por, ai nuk ishte i mirë me mua, m’i merrte paratë e mia, më rrahte, më tradhtonte me femra të tjera, më ofendonte… Megjithatë, derisa isha me të, fillova të ndryshoj pak nga pak. Së pari e lashë duhanin (pasi isha e detyruar prej tij, por jam e lumtur që e kam ndërprerë), pastaj e lashë alkoolin, ngrënien e mishit të derrit, fillova ta kontrolloj veshjen, etj. Por i bëja më shumë për atë sesa për Allahun.

Pasi nëna ime vdiq, fillova të mendoj se jeta mund të përfundonte çdo minutë kështu që duhej të bëja ndonjë ndryshim. 
Ndërkohë unë u njoha me motra muslimane dhe shkoja në takime në të cilat e mësova Islamin e vërtetë. Fillova ta mbaj hixhabin (ende nuk falesha), sepse e ndieja se për mua hixhabi ishte gjëja më e lehtë me të cilën mund të filloja, ta mbroja veten dhe t’u tregoja të tjerëve se kisha ndryshuar.
Ai nuk dëshironte të dilte më me mua pasi e mbaja hixhabin dhe më tha se ndiente dhimbje që më shihte në atë gjendje (a mund të besoni se një musliman e thotë këtë?) Pas një kohe ai gjeti një dashnore tjetër dhe shkoi.

Isha e lirë, fillova të mësoj të falem dhe të mësoj çdo gjë rreth Islamit. Fillova të dalë  më shumë dhe të takoj njerëz të rinj. Dhe, takova njerëz që më njoftuan me burrin tim të tanishëm.
Tani jam më e fortë. E kam besimin tim, pastaj familjen që më mbajnë të fortë.

Ky ishte tregimi im, megjithëse unë jam duke ndryshuar çdo ditë sepse ky është proces i gjatë i jetës.

Soraja/Kim

                                                  Marrë nga:
www.shariahway.com
                                                  Përktheu dhe përshtati: Fexhrie Kaçiu
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.