MЁNYRA E ABDESIT

 
Shekull i karrierizmit apo i vlerave!? PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e premte. 06 qershor 2008


"Kur mungon luani edhe majmuni bëhet mbret"




Me të arriturat e mëdha marramendëse të zbulimeve shkencore, ky fillim shekulli (XXI) në pamje të parë të jep përshtypjen se çdo gjë ecën brenda kornizave të caktuara të drejtësisë, por, me t’u ndalur për të analizuar më gjatë, vëren se çfarë injorance dhe çorodie ka në të. Pa asnjë vështirësi vëren gufjen e brumit të karrierizmit tek njerëzimi si dhe brofjen lavdëruese të tyre me vepra antivlerë.

Në vend të krahasimit me gjeneratat e mëhershme e kujtojmë shembullin e një të sinqerti, të devotshmi si dhe të kujdesshmi nga mos-rënia e tij në greminën e karrierizmit. Tregohet në historinë islame se, një njeri të ndershëm e lavdërojnë në një rreth në praninë e tij, duke ia lavdëruar cilësitë e karakterit të tij të mirë. Mirëpo, ai ngrit kokën dhe thotë: "Unë më së miri e njoh vetveten dhe unë e di më mirë se kush dhe çka jam".

Sot, ndodh krejt diçka e kundërt, (me përjashtim të një numri shumë të vogël, të cilët i ngjajnë këtij burri të sinqertë e jo karrierist – gjithnjë duke u bazuar në sjelljet dhe veprat e tyre, Allahu e din më së miri), sepse shumica thirren dhe thërrasin duke thënë se ne kemi besim dhe sinqeritet, dhe se ne jemi të atij rangu që nuk prekemi nga anomalia karrieriste, por vallë, sa është reale kjo që e pohojnë ata?!

Duke mos dashur për të folur për tema të tjera që u takojnë strukturave të tjera, e shoh të rendit, të arsyeshme dhe si objektive për të diskutuar për besimin në veçanti, këtë çështje reale të përditshmërisë sonë të këtij shekulli. Arsyeja e kësaj është se, i tërë vizioni global është i kthyer drejt tij, shpeshherë duke qenë edhe vizion snajperues.

Nëse besimi zbatohet drejt e sinqertë ashtu siç kërkohet, ai lehtë posedon timonin e planetit tonë (tokës). Por një gjë duhet kuptuar se, besimi nuk varet nga ndjenjat, as nga përfitimet individuale dhe as nga gjykimet e pabaza e të paargumentuara, siç ndodh shpesh të dëgjohet se ndryshohen parimet e besimit ashtu siç duan njerëzit vet, për shkak të dëshirave e interesave personale, e që kjo jep të kuptojmë se prapa këtij ndryshimi fshihet diçka (me siguri maska e karrierizmit dhe pasionit antivlerë).

Allahu i Lartësuar në mënyrë shumë të qartë tregon për të mirën e të drejtën që duhet pasuar, si dhe tregon për të keqen dhe të shtrembrën që duhet ikur njerëzimi. Madje, këtë sqarim e ka lehtësuar edhe përmes haditheve të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Andaj, njeriu i cili zotëron vigjilencë, mund të zgjedhë sipas dëshirës, nënshtrimin ndaj Tij - vlerën ose kundërshtimin ndaj Tij- karrierën dhe antivlerën. Kështu, nëse ai zgjedh të parën është i detyruar të pranojë drejtësinë e Islamit, ashtu siç ka ardhur nga Allahu i Madhërishëm dhe nga i Dërguari i Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Kjo për shkak se e vetëdijeson personin në fjalë që të hyjë brenda kufirit hyjnor si dhe e ndalon të veprojë me ndjenja e gjykime personale e që mund të jenë gjykime sipas interesit të tij vetjak.

Njeriu besimtar duhet të jetë njeri që e kupton shenjtërinë e fesë dhe me të kuptuarit e saj duhet ta pastrojë synimin e ëndjes së tij nga ajo që është e dëmshme për personalitetin e tij, siç është karrierizmi dhe veprimet antivlerë. 

Pandehja në shtrembërim 

Sot jemi dëshmitarë të shumë rasteve kur bëhen përpjekje për ta zbukuruar të shtrembrën dhe kur ajo u tregohet njerëzve si e drejtë, gjë që edhe ashtu absorbohet (nga ata që nuk e dinë), kurse besimi ka ardhur që t’i vë në binarë dëshirat dhe vullnetet e njerëzve e jo për të rënë nën presionin e tyre (karrierës dhe popullaritetit).

Në lidhje me këtë kemi deklaratën hyjnore në kaptinën Mu'minun, ajeti 71 ku Allahu i Madhëruar thotë:
"E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to. E megjithatë që Ne atyre u sollëm (me këtë Kur'an) famën e tyre, ata u zmbrapsën ndaj përkujtimit të vet."

Pastaj, shumë njerëz ikin nga e vërteta, sepse u ka ardhur rëndë për të arritur që ta pastrojnë qëllimin dhe synimin për idealin e tyre. Ndoshta, mund të ndodhë që të mos kuptohet urtësia hyjnore, andaj lindin nëpërkëmbjet ndaj vetvetes.

Përsëri Allahu i Madhëruar na tërheqë vëmendjen për vetëdijesim në suren Bekare, ajeti 216, ku thotë:
"Juve u është bërë obligim lufta, ndonëse ju e urreni atë. Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini."

Në fillim e cekëm se sot në çdo vend të botës, njëra ndër temat që më së shpeshti diskutohet nga të gjithë, është besimi islam. Një diskutim i tillë me të madhe dhe me një cinizëm të dukshëm diskutohet madje edhe në vendet tona shpeshherë, e që jehonë më të madhe i japin edhe mediet, si ato të shkruara ashtu edhe ato elektronike duke e bërë besimin tonë objekt kritike për çështje të ndryshme. Krahas kësaj, ka edhe zëra të atyre që duan t’i japin besimit ngjyrë sipas interesave të tyre dhe në fund presin duartrokitje (nga spektatorët e tyre).

Në qoftë se vërejmë pak me kujdes, dallojmë sjelljen e atyre që s'kanë të bëjnë me besimin e vërtetë e të drejtë dhe me një punë aktive e sistematike nga njerëzit kompetent të parisë fetare, nëse nuk lihet hapësirë e lirisë për shtrembërime, gjërat lehtë vihen në vendin e duhur dhe çdo gjë ecën me vrull të suksesshëm e drejt vlerave të larta. E nëse asgjë nuk lëviz dhe nuk punohet në këtë drejtim, atëherë i ngjan asaj frazës e cila thotë: "Kur mungon luani edhe majmuni bëhet mbret".

Allahu na ruajttë prej veprave të liga. Amin!       
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.