MЁNYRA E ABDESIT

 
Kah i kemi drejtuar synimet tona? PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 02 qershor 2008
 Synim ta kemi dijen e dobishme dhe zbatimin e saj e jo dynjanë me të “mirat” e saj.

Me një digresion në fillim do ta trajtojmë këtë pikë delikate.

Shekiku e pyet Hatimin: Sa kohë ke që mëson tek unë? Ai i përgjigjet: tridhjetë vite. Çfarë ke mësuar këto tridhjetë vjet? Hatimi i përgjigjet: Gjashtë fjalë. I thotë: Cilat janë ato? Ai i përgjigjet:

1. Allahu i Lartësuar thotë: “Risku i çdo gjallese në tokë është tek Allahu.” (Hud, 6), dhe unë e pashë veten time si një nga këto gjallesa që risku i tyre është në dorë të Allahut, e kuptova se ajo që është e imja nuk do t’i shkojë tjetërkujt, sepse Allahu furnizon elefantin me atë bark të madh dhe nuk harron as milingonën aq e vogël që është. Nuk preokupohem për të mbledhur pasuri, por për ibadete (adhurime) ndaj Allahut.

2. All-llahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.”(Huxhurat, 10), dhe vëllai duhet të jetë i dashur ndaj vëllait. E pashë se armiqësia futej nëpërmjet zilisë (hasedit) dhe u përpoqa ta nxjerrë zilinë nga zemra ime dhe zemra ime arriti në atë gjendje sa kur i ndodhte një besimtari një problem, ndihesha sikur të më kishte ndodhur mua, dhe kur i binte një e mirë gëzohesha edhe unë.

3. Pashë se çdo njeri ka nga një të dashur dhe i dashuri patjetër duhet t’ia shfaq  dashurinë të dashurit, ndërsa unë mora për të dashur bindjen ndaj Allahut, sepse kjo e dashur qëndron me mua edhe në varr, në mahsher (vendtubimi pas ringjalljes) dhe në sirat (urën që çon në Xhenet).

4. Pashë se çdo njeri ka nga një armik dhe patjetër që edhe ti duhet të jesh armiqësor dhe i kujdesshëm ndaj tij, ndërsa unë zgjodha armik shejtanin, sepse ai do që të më marrë me vete në zjarrin e Xhehenemit dhe i lashë armiqësitë me gjithë të tjerët, përveçse me shejtanin.

5. Pashë se çdo njeri e ka një shtëpi që duhet ta ndërtojë patjetër dhe e konsiderova si shtëpi timen varrin dhe fillova ta ndërtojë me punë të mira.

6. Pashë se çdo njeri e ndjekë dikush nga pas. Unë pashë se vazhdimisht më ndjekë meleku i vdekjes dhe nuk di se kur më vjen, dhe fillova të përgatitem, porsi nusja kur vjen dhëndri ta marrë që nuk vonon.

Lidhur me këtë çështje, ndoshta pa i prekur as versetet e tjera kur’anore apo edhe ndonjë hadith, sikurse të mendojmë drejt, mirë e mbarë, kjo shkëputje e bisedës mes mësuesit dhe nxënësit do të na ndërgjegjësonte shumë të gjithëve në përgjithësi, e të pasionuarin e dynjasë me të “mirat” e saj në veçanti.

Hadithi i poshtëshënuar na dëshmon se dëshirën dhe dashurinë për punë, sado në doza minimale, e ka gjithsecili:

“Ai njeri që fillon të lypë, Allahu do t’ia hapi dyert e varfërisë; dhe kush ruhet, Allahu do ta ruajë, kush kërkon pasuri Allahu do ta pasurojë; dhe nëse dikush prej jush merr litarin dhe shkon në një luginë për të prerë dru, dhe i shet ato duke fituar prej tyre qoftë edhe sa një grusht hurma, është më mirë për të sesa t’iu lypë njerëzve, i japin ata apo nuk i japin.”

Edhe pse asnjëherë nuk bie në kundërshtim verseti kur’anor me hadithin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke e pa dukshëm njohjen e Allahut mbi çdo gjë mbi ne, Allahu me një ajet na e tërheq vërejtjen me Urtësinë e Tij të përkryer që të mos jemi të pasionuar në dynja, por të punojmë për të dy botët në mënyrën që iu takon. Në kaptinën “Shuara” në ajetin 27, Allahu thotë:

“Sikur All-llahu t’ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do të tejkalonin kufijtë,  por Ai i furnizon me masën që dëshiron, sepse Ai është i njohur hollësisht dhe i  Dijshëm për robërit e Vet.”

Dëshmi për sqarimin e këtij verseti kemi fjalën e Abdullah Ibën Omerit, i cili thotë:

“Puno për këtë botë sikur të mos vdesësh kurrë, ndërsa puno për ahiretin si të vdesësh nesër.”

Mendoj se asgjë nuk e ndal njeriun nga puna përveç vdekjes dhe mbylljes në varrin e tij, i cili është i ngushtë ose i gjerë, i errtë apo i ndritshëm, aq sa ne ia kemi dhënë dimensionet dhe instalimet e ndriçimit me veprat tona.

Ali Ibën Muabedi ka treguar se, njëherë kaloi një xhenaze e një fëmije të vogël dhe Aishja (radijall-llahu anha) qau shumë. I thanë: ”Përse po qan, o nënë e besimtarëve?” Ajo tha: ”Qaj për këtë fëmijë, se më dhimbset kur t’i ngushtohet varri.”

Të nderuara motra!
Edhe pse janë dy mendime të ndryshme lidhur me sprovën e varrit për fëmijë, e që të dyja mendimet janë të përkrahësve të Imam Ahmedit, mendoj që secilës prej nesh që jemi besimtare do të na i lëkundë ndjeshmërinë dhe do të na shpie në vaj që do t’i ngjajë një foshnje të uritur, kjo për shkak të gjendjes sonë faktike që e kemi në relacion me imanin, gjendje kjo e cila është shumë e pasur dhe e majme nga dynjaja që s’jep asgjë të përjetshme e që vazhdimisht e lakmojmë atë (dynjanë).

Ndoshta ia vlen ta cekim një thënie analitike të dijetarit të madh Malik Ibën Enesit, i cili ka thënë:

“Fundi i këtij ummeti duhet të përmirësohet ashtu siç është përmirësuar fillimi i tij.”

Nuk po them që të presim ndonjë të dërguar, por po them që ta ndryshojmë vetveten tonë ashtu siç e ndryshuan të parët tanë kur e pranuan Islamin. T’i ndryshojmë synimet dhe epiqendrat tona, të cilat janë njollosur me synime të dynjasë dhe janë përzier aq shumë saqë vështirë është ta dallosh se cila është e bardhë e cila e zezë. E them këtë se, nëse duam që ta favorizojmë botën me sundimin tonë në të, duhet të jemi aleat të përkryer të Kur’anit dhe Sunnetit të të dërguarit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ngaqë vetëm këto të dyja janë superfuqi e jo diçka tjetër që vlen për të kërkuar.

Lidhur me këtë po përmendim rastin e letrës së Imam Gazaliut që i ka shkruar njërit prej studentëve të tij:

“O biri im: Nëse do të jesh në sahara, do të kesh armatim me vete dhe ty ndërkohë do të dalë përpara një luan i madh, a do të mbrojnë armët nëse nuk i  përdor?!

O biri im: Nëse nuk punon, nuk ke për të gjetur shpërblim…dija pa punuar me të është çmenduri, kurse puna pa dije është e pamundur, por duhet të jenë të dyja.

O biri im: Vetëm dija nuk të largon nga gjynahet dhe nuk të shpëton nesër nga zjarri, sepse Ditën e Gjykimit do të thuash: “O Allah, më kthe në dynja të bëj punë të mira dhe do të thuhet: “O filan, a nuk erdhe prej andej!?”

Pra, para se të na thuhet: “…a nuk erdhët prej andej!?”, ta ndryshojmë gjendjen tonë,  ta veshim shpirtin, gjuhën e mendjen me sinqeritet e devotshmëri, e që këto të dyja janë brumë i diturisë së mirëfilltë kur’anore dhe sunetike.

T’ia ngrehim vetëdijen vetes, se bota nuk po kërkon nga ne që t’ua zbardhim të zbuluarat të cilat po i “zbulon” shkenca sot, sepse ajo e din që i dimë, ngaqë janë të përmendura në Kur’an dhe në Hadith, andaj edhe nëse tentojmë t’iu tregojmë nuk i pranon nga ironia që ka, por ajo pret e kërkon nga ne që ta dimë, e mëson synimin e qëllimeve tona se nga i kemi të drejtuara ato.

Nëse ne nuk dimë të jemi të mençur, vizionarë dhe të sillemi me urtësi ndaj tyre dhe lajkave e intrigave që i servojnë ata, do të bëhemi skllevër të nëpërkëmbur të tyre si dhe do të shkojnë breza e breza që do të na e shohin sherrin e injorancës së lakmisë sonë për këtë botë kalimtare.

S’do mend se lufta ndaj vetvetes është diçka e rëndë dhe e madhe. Jo rastësisht të urtët kanë thënë: ”Lufta e egos është adhurim, nuk arrihet veçse përmes dijes dhe ajo është obligim për çdo person. (Shejh Nablusi).

Andaj, nga ne të gjithë kërkohet që synim ta kemi dijen e dobishme dhe zbatimin e saj e jo dynjanë me të “mirat” e saj.   
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.