MЁNYRA E ABDESIT

 
Nėn thjerrėz vėje veten e jo tjetrin! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 26 maj 2008
 


 "I zgjuar është ai që e mposht egon dhe e merr në llogari vetveten dhe përgatitet për atë që vjen pas vdekjes, ndërsa mendjelehtë është ai që i ndjek epshet e veta dhe i mban shpresat tek All-llahu që ta falë."

Këtë e ka thënë i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ngase ai në bazë të burimit të Shpalljes, më së miri ka qenë i njoftuar se çfarë do të ndodhë në kohët që do t’i lë pas. Andaj, nuk është aspak e vështirë të vëresh se si i vëmë thjerrëzën (lentën) tjetrit e jo vetes, kjo jo për tjetër, por si shkak i rënies së imunitetit të imanit të atij njeriu i cili jeton me të huajën e që s’mendon se po e dëmton vetveten.

Të gjithë e kalojmë jetën e përditshme në bashkëpunim me të tjerët, edhe pse disa janë padronë e disa janë skllevër në këtë jetë. Por, në këtë përditshmëri vazhdimisht dikush hulumton ose kërkon llogari ndaj tjetrit, sepse e konsideron veten ose të pastër (nga mëkatet) ose njeri autoritar e që mund të jep urdhra të pandërprerë dhe pret llogaridhënie prej tyre.

Brenda kësaj ecurie të jetëve tona, dikush edhe më shumë shton trysni ndaj tjetrit duke i kërkuar llogari e dikush din të mos ua vë zullumin po t’i falë e t’i këshillojë ata. Disa të tjerë sikur ia bëjnë vetes obligim që lentën (llupën) ta mbajnë vetëm mbi të tjerët se çfarë po bëjnë e çfarë po veprojnë, se si po duken e si po jetojnë dhe harrojnë veten e tyre në tërësi. Mjerisht, ky gjest është ndër gjestet më të ulëta që mund të bëjë një individ, aq më keq një besimtar.

Sikur të mendojmë sipas asaj që është e drejtë dhe e kërkuar nga ne, xhamin zmadhues duhet t’ia vëmë vetëm vetes, egos sonë, sepse armik më të madh e më të guximshëm sesa egon nuk kemi, madje as djallin, sepse djalli shfrytëzon egon tonë për të depërtuar në brendësitë tona (shpirt e zemër) për të manovruar më pastaj me nderin dhe ndërgjegjen tonë. E nëse arrijmë që egon tonë ta vëmë në binarët e duhur, me siguri se do të konsiderohemi si personi, i cili ka korrur sukseset e kësaj bote dhe që ka siguruar në hambar suksese për botën tjetër.

Të izolosh identitetin tënd me vendosjen e lentës përmbi, ta shqyrtosh atë me maturi e kujdes dhe t'i nxjerrësh në shesh të gjitha anët negative dhe të fshehtat e të panjohurat (negative) tua e më pastaj ta vlerësosh gjendjen reale në të cilën gjendesh, është suksesi më i madh i mundshëm, sepse vetvetes nuk mund t’i ikim edhe nëse tentojmë ta bëjmë këtë. Sepse, më së miri e njohim veten tonë e pak mund ta njohim tjetrin. Dhe, përmes kësaj ia hapim derën suksesit të madh dhe triumfues në të dy botët.

Nuk kemi për qëllim të themi, ose të kuptohet shtrembër diskutimi ynë, që t’i zbulojmë mëkatet tona tek të tjerët, por themi që zbulimin e mëkateve përmes thjerrëzës t’ia bëjmë vetëm vetvetes, ndërgjegjes sonë dhe ashtu të zhveshur para lentës ta kritikojmë e qortojmë në atë mënyrë që egoja të mos anojë nga devijimi dhe humnera. E nëse këtë ia bëjmë vetes, atëherë s'do të mund të merremi me askënd tjetër, sepse do të na mjaftojë vetëm personaliteti ynë e s'do të na del koha për askënd tjetër, madje as për më të afërmit e më të dashurit tanë. Për këtë, All-llahu i Lartësuar thotë në Kur'an:

"Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot llogaritës i vetvetes". (Isra, 14)

Secili prej nesh sheh të këqija e të mira në shoqërinë ku jeton. Çdo ditë shohim e dëgjojmë për dhunën, paturpësinë, padrejtësinë, korrupsionin, abuzimet, devijimet morale e devijimet e besimit etj., e që të gjitha këto kërkojnë vet-llogari nga vepruesi që i bën me qëllim që ta pastrojë shpirtin dhe ndërgjegjen e tij, e jo nga ne,  sepse ne s’mund ta pastrojmë askënd, madje as vetveten nëse nuk na pastron All-llahu.

Argument për këtë kemi rastin e Jusufit, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe argument i kësaj është ajeti kur'anor i kaptinës, që mbart po këtë emër, i cili thotë:

"Unë nuk e shfajësoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që falë e mëshiron shumë." (Jusuf, 53).

Historia islame i ruan të freskët në gjirin e saj shembujt, të cilët duhet të na shërbejnë në jetën tonë se si duhet të vet-llogaritmi në këtë botë, para se të na llogarisin në botën tjetër, sepse atëherë bëhet vonë për t'u pastruar nga mëkatet.

Si mostër po përmendim rastin e Ebu Lebabes se si këmbënguli për shkak të vet-llogarisë e që përmes saj pastroi veten nga mëkati dhe ndërgjegjen e tij. (Tefsiri i  Ibni Kethirit)

Andaj, kur ne besimtarët fillojmë t’i zbulojmë para vetes të metat tona dhe menjëherë fillojmë t’i zëvendësojmë me vepra të mira , do të jemi shembull i gjallë për të gjithë si rasti i Ebu Lebabes dhe shumë të tjerëve, të cilët ruhen në historinë islame, si dhe nuk do të kemi kohë të merremi me të metat e të tjerëve e as t’ua mbajmë lentën përmbi atyre, por atëherë do t’ia mbajmë vetvetes.

Lidhur me këtë do të përmendim urtësinë e Ebu Othman Magribit, i cili ka thënë:
"Asnjë nuk e sheh të metën e vet nëse e lavdëron vetveten, por do të arrijë të shikojë të metat e veta nëse e akuzon atë."

Mjerisht, sot ka shumë njerëz që vetveten e lavdërojnë e të tjerët i akuzojnë.

Imam Berkui ka thënë:
"Sa shpejt shkatërrohet ai që nuk i njeh të metat e veta, sepse gjynahet janë lajmëtari i kufrit".

E për të pasur kujdes për mos-rënie në kufër dhe për të pasur një fund të ndritshëm, për fund të këtij diskutimi po e përmendim këshillën e Ibrahim Ibën Ed'hemit, i cili ka thënë:

"Nuk do të arrijë njeriu gradën e njerëzve të devotshëm, derisa t’i kalojë gjashtë pengesa:

T’i mbyllë dyert e mirësisë dhe t’i hapi dyert e vështirësive.
Të mbyllë derën e krenarisë dhe ta hapi derën e thjeshtësisë e të përuljes.
Të mbyllë derën e rehatisë dhe të hapi derën e përpjekjeve.
Të mbyllë derën e gjumit dhe të hapi derën e të qëndruarit zgjuar (duke adhuruar Allahun).
Të mbyllë derën e mbledhjes së pasurisë dhe të hapi derën e investimit të saj për botën tjetër.
Të mbyllë derën e shpresës dhe të hapi derën e përgatitjes për vdekjen.

Ndërsa, lutja jonë është që Allahu të na bëjë prej atyre të cilët gjithnjë e llogarisin vetveten derisa ta arrijmë dashurinë e Tij! Amin!  
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.