MЁNYRA E ABDESIT

 
Kthehuni ndonjėherė nga e kaluara… PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 13 maj 2008


                               

 Vitet ikin si pa i hetuar, brezat ia lënë radhën njëri-tjetrit, por që të gjithë, që nga ai qytetari i thjeshtë e deri tek dijetari, shkencëtari, mësuesi, politikani, burrat e shtetit, ministrat, kryeministrat e presidenti, të gjithë kanë të kaluarën e tyre, e që me siguri e kujtojnë dhe ndoshta e përmendin nëpër biseda. Por, edhe nëse nuk e përmendin atë, ata nuk mund të shkëputen nga dija që kanë fituar prej saj (të kaluarës), sepse ajo është shkrirë brenda qenies së gjithsecilit, e që përcillet diçka në sjellje, zakone e ndoshta edhe në huqe, të cilat nguliten në kokë dhe ndikojnë doemos në identitet, stil e personalitet të njeriut.

Padyshim, të gjithë njerëzit kanë halle dhe shqetësime, por, njeriu është njeri, nuk është dhe s'mund të jetë robot që të mos ketë halle e shqetësime. S'mund të jetë as makinë që dirigjohet nga timoni, përkundrazi është prej mishi e gjaku dhe ka botën e tij, ndjenjat dhe emocionet, qetësinë dhe shpërthimet e tij shpirtërore, gjendjen emocionale të ndryshueshme, të gëzueshme ose jo, ku të gjitha këto nuk ngjajnë me asnjë njeri tjetër. Secili është botë në vete me të gjitha të veçantat e tij, thjesht secili ka unin e vet.

Nëse ndalemi ta analizojmë jetën, kuptojmë se ajo i ngjan një lumi të rrëmbyer, që po nuk dite notin, të hedh përtej si një kërcu. Si duket, kjo na bën të thellohemi edhe më shumë duke menduar se sa rol të madh ka dija ose dituria.

Jo rastësisht, Allahu i Madhëruar thotë në Kur'an:
"… A janë të barabartë të diturit me ata të paditurit?!" (Ez-Zumer, 9)

Por, nëse mendojmë edhe më shumë do të vijmë deri tek përfundimi se në të kaluarën kemi qenë më pak të ditur dhe se me vështirësi i kemi tejkaluar gjërat. Ndoshta edhe shkaku i injorancës fetare tek disa ka ndikuar që përballja me vështirësitë të jetë më e rëndë. Sepse, sikur të kishim njohuritë në dispozicion siç i kemi sot, ndoshta edhe s'do të linim gjurmë aq të mëdha në të kaluarën e as nuk do të zvarriteshim nëpër thumbat gjembor të privimeve.

E kaluara i ruan gjurmët tona; s'po themi për sukseset në mësime, as për regjistrat e amzës, as për gërvishtjet dhe shkarravinat apo karikaturat nëpër mure e banka, por fjalën e kemi për gjurmët e zbrazëtitë e të kaluarës pa besim hyjnor, ose zbrazëtitë të cilat kanë mbetur si shkak i besimit tejet të dobët e që ai besim s’ka mundur t’i plotësojë ato.

Pas konvertimit dhe pendimit të sinqertë, Allahu, Zoti i botëve, falë të gjitha mëkatet, zaten edhe ka premtuar për këtë dhe s'duhet dyshuar aspak në përmbushjen e premtimit të Lartmadhërisë së Tij, por po themi që e kaluara le të jetë korrigjuese për të tashmen dhe të ardhmen, për të mos rënë përsëri në llumin dhe fundërrinën e ndotur të injorancës afetare, sado që jeta na "sjellë" joshje marramendëse me spektaklet e saj devijuese e të pasuksesshme.

T’i ikim devijimit ashtu siç ikën njeriu prej asaj që frikësohet më së shumti (zjarrit, tërmetit, etj.).
Të luftojmë e ta mundim të kaluarën dhe të mos lejojmë që ajo të jetë dëshmitare e jona për së keqi asnjëherë, madje në asnjërën botë, sepse jeta pa besim në Njësimin e Allahut është si moçali i cili veç kundërmon aromë dhe s'mund t'i rrijë askush afër prej kundërmimit të rëndë.

 

 

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.