MЁNYRA E ABDESIT

 
Islami dhe bota e paqes PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e hėnė. 12 maj 2008
 
 



Është e rëndësishme që njerëzit sot ta kuptojnë qartë kuptimin e vërtetë të Islamit.


Ne duhet t'i dimë vlerat e kësaj pastërtie, të qetësisë, unitetit, sinqeritetit, ndershmërisë dhe vlerës së ndërgjegjes, drejtësisë dhe të vërtetës. Ne duhet ta njohim madhështinë e Allahut, i Cili sundon gjithë këtë kozmos dhe ne duhet të gjejmë qetësinë në jetën tonë, kështu që ne mund t’i orientojmë të tjerët drejt paqes.

Të kesh besim të vendosur në Allahun, Zotin e Plotfuqishëm, ta njohësh Atë, t’i lutesh Atij, t’i besosh me bindje të plotë të dërguarit e Tij, t’i kryesh urdhrat e dërguara përmes tyre dhe t’ia kushtojmë jetën tonë adhurimit të Tij – ky është kuptimi i vërtetë i Islamit.

Islami është i barabartë, paqedashës, unik dhe harmonik. Islami është përpjekje e brendshme, kënaqësi, besim në Allahun dhe madhërim i Allahut. Ai i cili i kupton këto dhe i vë në praktikë do të bëhet besimtar i vërtetë; ai do ta njeh Allahun dhe urdhrat e Tij dhe do t’i praktikojë shpjegimet e dhëna përmes shpalljeve të Tij.

Ne që duam të jemi në Islam duhet t’i flakim të gjitha veset e djallit të cilat paraqiten brenda nesh. Ne duhet t’i largojmë të gjitha mendimet të cilat e përçajnë unitetin e njerëzve, unitetin e Islamit.

Allahu është plotësisht me cilësi të pastra, nëntëdhjetë e nëntë atributet e Tij dhe mirësitë e Tij janë të mbledhura së bashku me dashurinë e Tij dhe janë ruajtur si thesar i Imanit - Islamit. Allahu ua dha këtë dhuratë të Imanit - Islamit besimtarëve të vërtetë, atyre që kanë besim të plotë, bindje dhe besë. Ai ua dha këtë dhuratë me bollëk profetëve, kështu që ata të mund t’iu ndihmojnë njerëzve që ta lirojnë veten nga nënshtrimi i tokës, arit, kënaqësive seksuale, dëshirave, mendimeve, etj. Dhe, njeriu ende është duke vuajtur dhe duke mos gjetur liri; ai është rob i aq shumë gjërave. Ai nuk ka paqe, qetësi, barazi ose dashuri. Njerëzit duhet ta çlirojnë vetveten nga skllavëria e këtyre.

Nëse njeriu mund ta sigurojë dashurinë e Allahut, atij nuk do t’i mungojë asgjë. Kjo është pasuri e pastër, është pastërtia e Islamit. Nëse njeriu ka pasuri të tillë të brendshme, ai kurrë nuk do të shkatërrohet në këtë botë e as në botën tjetrën. Ai do të jetë i lumtur në të dy botët. Allahu kërkoi nga njerëzit që ta pranojnë këtë, të gjejnë liri dhe ta ngrisin flamurin e unitetit në drurin e dashurisë.

Njerëzit me besim të fortë e dinë se është i rëndësishëm pastrimi i zemrave të tyre, derisa ata me besim të lëkundur përpiqen të gjejnë gabime në zemrat dhe në lutjet e të tjerëve. Kjo bëhet shprehi në jetën e tyre. Por ata që i luten Allahut me besim, me vendosmëri dhe bindje të plotë e dinë se gjëja më e rëndësishme në jetë është nënshtrimi i zemrave të tyre Allahut. Nëse pellgu i zemrës është plot, atëherë të gjitha krijesat mund të vijnë e të marrin pjesë te uji i tij i pastër. Nëse është cekëtinë, atëherë të gjithë ata që vijnë do të nxiten dhe të bëhen me baltë dhe s’do të kenë asgjë përveç ujit të ndytë për të pirë.  

Frytit vetëm mund t’i jepet shija që e ka brenda vetes. Në mënyrë të njëjtë, njerëzit vetëm mund të japin atë çka e kanë brenda vetes. Nëse ne kemi urtësi, të tjerët me urtësi mund ta njohin këtë shije. Nëse ne kemi ëmbëlsi në zemrat tona, ne do ta njohim atë shije te të tjerët. Nëse ne e gjejmë të vërtetën, durimin dhe këmbënguljen thellë në zemrat tona, nëse ne e njohim Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe nëse ne e gjejmë unitetin në mes nesh, atëherë ne do të bëhemi vërtet njerëz të zgjuar. Uniteti, mëshira dhe e vërteta janë Islam. Le ta realizojmë këtë dhe të jetojmë në përputhje me të!

Le ta forcojmë imanin tonë vazhdimisht, sigurt dhe me vendosmëri! Ne duhet të bashkohemi dhe të jetojmë si një popull, duke pranuar se ekziston një Zot dhe duke iu lutur së bashku si një familje në xhemat. Kjo është pasuria e Imanit - Islamit. Zoti e dërgoi këtë dhuratë te secili prej profetëve dhe përfundimisht ia dhuroi Profetit Muhamed (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Shpjegimet themelore të besimit të përkryer ishin dhënë nga të dërguarit e Zotit dhe ata i ndanë me njerëzit në shkrimet e shenjta, në traditën e Profetit (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) dhe në Kur’an.



                                         Përktheu: Fexhrie Kaçiu     

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.