MЁNYRA E ABDESIT

 
Mbrėmja e maturės - “Maturomania” PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Almedina Dauti & Fitore Haziri   
e diel. 18 maj 2014
 Harruam se është koha kur para syve tanë është shfaqur udhëkryqi i të ardhmes tonë, e nuk ndjehet ajo fryma e kujdesit ndaj tij...   




Po kthehesha nga shkolla për në shtëpi. Kishte rënë muzgu i mbrëmjes. Dielli kishte skuqur horizontin e dukej që kupa e qiellit do të merrte flakë. Majat e kodrave përshëndeteshin përfundimisht për atë ditë me rrezet e tij, e qytetit i falnin hijen e tyre, për të paralajmëruar ardhjen e natës me terrin e zi. Gumëzhinte rruga kryesore me trafik të dendur, dëgjohej sirena e ndonjë veture që trembte laraskat mbi degët e blirëve në trotuare; nguteshin njerëzit sikur të kishte ndodhur diçka e qendra i ngjante zgjoit të bletëve. Ajri ishte i lehtë si një vello që valëvitet me tundjen e së cilës prishej qetësia e gjetheve të drunjve të mbjellë përskaj rrugës.

Tërë asaj zhurme, dinamikë përbërëse e përditshmërisë së njerëzve, asaj tërësie të atij peizazhi të mbushur pluhur, asaj ngutje që ndjehej në ajër, asaj mërzie nga dita e gjatë e pranverës së hershme, i bashkëngjitej edhe zhurma e orëve të mësimit që kumbonte në mendjen time. Ishim tok të gjitha shoqet e nuk e di se si mbeta vetëm që të kthehesha në shtëpi. M’u kujtua biseda e fundit që kishim me njëra-tjetrën e që pikë referuese kishte preokupimin tonë të fundit, “gajlen” më të madhe të këtij fundviti: mbrëmjen e maturës. Kishim të gjitha merakun se si do të kurorëzonim mbrëmjen e fundit së bashku... çfarë do të bënim diçka më speciale... diçka që nuk do ta harronim asnjëherë e do të mbetej në kujtesën tonë për një kohë të gjatë.

Dëgjova aq shumë dëshira, aq shumë ide se si do të dukeshin shoqet atë mbrëmje, aq shumë shushurima e mosdurim për natën finale, silleshin e rrotulloheshin mendime nga më qesharaket e deri tek absurdi më i madh që kisha dëgjuar: që nga thjeshtësia si ide, e deri tek pamja e princeshës së përrallave... Ndërsa imagjinata ime lozte lojën më të pakuptueshme se si unë do të dukesha, çfarë do të vishja, si do ta bëja grimin, si do t’i rregulloja flokët... si do të bëhesha e paharrueshme atë natë! Ku do të gjeja diçka që do të më bënte të veçantë vetëm mua?! Ku do të gjeja fustanin më të paparë deri atëherë? Ta blija këtu... jo në fakt nuk kisha shumë opsione! Ta porosisja nga jashtë përmes të afërmve të mi atje, apo të porosisja vetëm materialin e mandej do ta qepja për qejfin tim... ndoshta kështu më mirë! Do të ishte mirë që t’i gjeja edhe sandalet e përshtatshme me take pakëz më solemne të veshura me elegancë. Nuk duhej të harroja që me kohë të bëja terminin tek parukieri, ashtu që të mos më paraqitej ndonjë problem në momentin e fundit. Me një fjalë duhej të mendoja për të gjitha, që kur të vinte dita vetëm t’i përmbahesha agjendës!

U krijua një lëmsh mendimesh që nuk ua dija as fillin, derisa ecja me hapa të rënduar rrugës për në shtëpi. Dukej sikur nuk më bindeshin këmbët në drejtimin që unë urdhëroja të bënin ecejaket. Çanta në krahun tim rëndonte nga librat e nga gjysma e uniformës që tani ishte bërë zakon ta vishnim vetëm para hyrjes së shkollës. Era e lehtë m’i shprishte flokët e dukej sikur lozte lojën më të këndshme me to. Mendjen e kisha gjetiu tani... kur për një çast ndalova para një dyqani me xhama të tejdukshëm. Ndalova për të vetmen arsye: të shikoja panon (apo pllakatin) që e kishin vendosur nxënësit e njërës prej paraleleve të gjeneratës sime. Të radhitur ashtu me radhë... së pari dy nga profesorët, mandej kujdestari në ballë të panos... mandej nxënësit në çifte njëri pas tjetrit e mbulonin sipërfaqen e pllakatit të rrethuar e të stilizuar në mënyrën e ideatorit! M’u kujtua që klasa jonë ende nuk ishte gati me idenë se çfarë do të vishnim për t’u fotografuar ndërsa dizajni i pllakatit ishte gati dhe do të ishte më i veçanti në qytet. Isha humbur duke i shikuar ato fytyra të rregulluara e të nënshtruara “regjimit” të programeve kompjuteristike, aq sa disa prej tyre nuk i njihja, aq shumë kishin ndryshuar!!! Isha habitur krejt fare, e ngujuar në një vend duke shikuar si e marrë gjithë atë ekspozim fytyrash, ndërsa rreth meje ishin grumbulluar gjithë ata njerëz me të vetmin qëllim që isha ndalë edhe unë. Dikush shikonte të birin, të bijën, dikush tjetër dikë që e njihte e dikush vetëm sa për kureshtje në mos e njihte ndokënd apo për të komentuar me të tjerët se cili/cila dukej më bukur...

U largova ngadalë pa rënë në sy e me kokë të ulur duke u munduar të shpejtoja hapat për në shtëpi sepse nata vetëm kishte trokitur në nënqiellin e qytetit tim. Në tërë vrushkullin e mendimeve të përziera, në botën time pa kahe në ato momente, ndërhyri përshëndetja e një personi që e njoha vetëm përmes butësisë së zërit të tij. Kisha respekt të madh ndaj tij kështu që ndalova për pak minuta, i ndërruam dy-tri fjalë rutinore përshëndetëse, për t’ia lënë vendin një bisede të shkurtër, aspak të zakonshme e shumë efektive në disa aspekte... me një tungjatjeta u ndamë e unë mbeta e shtangur, e edhe më e hutuar se që isha.

Për një çast mu duk se gjithë ai pluhur që qëndronte pezull në ajrin e atij mjedisi m’i kishte rënduar sytë e mi e nuk po shihja si duhet... tërë mjegull!!! Kisha thurur mendime nga më të ndryshmet e nuk isha e zonja ta pyesja veten se për çfarë arsye e gjithë kjo... Për çfarë arsye i kisha gjithë ato mendime, gjithë ato ide për finalizimin e atij fundviti... Për çfarë po përgatitesha? Për çfarë po e shpenzoja gjithë këtë kohë që më ishte falur? Sa absurde dhe e pamenduar mirë: harxhoja kohë për të menduar... sigurisht relacioni shkollë-shtëpi kishte zgjatur më tepër se zakonisht, shumë më tepër! Do të harxhoja kohë për të gjetur dhe finalizuar gjithë idetë e mia për një pamje “perfekt”, do të harxhoja paratë që prindërit e mi me aq mund i kishin fituar... dhe për çfarë? Për një natë... për një natë të vetme, diku rreth 9-10 orë gjurulldie të mbushur me marifetllëqe nga më të ndryshmet deri në zvetënim, të paraprirë nga sfilata nëpër rrugën kryesore të qytetit, përngjasim i ekspozimit të produkteve në panaire; e të tjerët përngjasim i blerësve, e në këtë rast: blerës pa monedha adekuate përveç kullotjes së syve me lakuriqësi. Natë ku të tjerët do të shikonin fustanin tim... trupin tim... flokët e mi të bukur... e fytyrën time të rregulluar enkas! Natë ku ashtu siç e quanim ne të fundit, unë e të gjithë të tjerët do të linim një imazh të fundit me pamjet tona, sjelljet tona tashmë nën ndikimin e muzikës shurdhuese, të qeshurat e pakontrolluara, vallet pa shikuar se me kë apo si...

Vërtet të gjithë pjesëmarrësve të atij evenimenti final, do t’ju linim imazhin e “paharrueshëm”, pamjen që aq shumë e kishim diskutuar, e që i kishim trazuar edhe njerëzit jo të afërt me familjen... Kjo në fakt do të ishte dëshira jonë... të mos harroheshim!! Të kujtoheshim pa menduar se si dhe në çfarë mënyre do të kujtoheshim! Kështu dëshironim të finalizonim 4 vite së bashku... 4 vite mund e sakrificë për të qenë më të suksesshëm e për të ecur sigurt... 4 vite përballje me teket e të tjerëve për të mos mbajtur orë kur dëshironin ata... 4 vite mund e zell për t’ju ndihmuar atyre që kishin më shumë nevojë... 4 vite së bashku me udhërrëfyesit tanë - mësuesit tanë, do t’i finalizonim me të “paharrueshmet” veshjet tona, pamjet tona, e imazhin final përmes një nate të vetme... përmes disa orëve që do të kalonin sa hap e mbyll sytë për të lënë një vijë të gjatë e të kuqe, në plejadën e sukseseve për 4 vite!

Mbrëmja e maturës është kurorëzimi i përfundimit të viteve që i kalova në shkollë, tani po pyes veten çka realisht jam duke kurorëzuar unë? Apo po kurorëzoj për të rinjtë që erdhën si lule e çelur, u shoqëruan me lulet e vyshkura e me sytë e mi e pashë vyshkjen e tyre! Apo ndoshta po kurorëzoj ato ditë ku harruam qëllimin e ardhjes në shkollë e i lamë profesorët me ditar në duar në klasën e zbrazët ose më mirë doja të dukesha më e bukura e mbrëmjes sepse nuk isha argëtuar mjaft?!

E tani? Çfarë po kurorëzonim... çfarë po kurorëzoja për të madhin Zot? Vyshkjen e luleve më të bukura që do të gjeje... zhgënjimin e profesorëve me ditar në duar sepse kishin gjetur klasën e zbrazët, sepse nxënësit kishin ikur për t’u fotografuar për pllakat.... apo se tash është fundi dhe kishim nevojë më shumë për të ikur se sa për të shijuar ditët e fundit në bankat që aq shumë kishin hequr prej nesh...? Kishim harruar atë më të rëndësishmen: qëllimin e ardhjes sonë në atë institucion edukativo-arsimor emër ky i cili ka mbetur vetëm pjesë e emërtimit të objekteve me banka, tabela të zeza, mësues e me disa të rinj që e quajnë veten nxënës. Donim që gjithë këtë argëtim ta finalizonim me një mbrëmje të paharrueshme, sepse pak ishim argëtuar, sepse kishim ende nevojë për çorodi shtesë të paketuara edhe me natën e fundit së bashku! Kërkonim gjithë këto gjëra... harruam se të gjithë kanë drejtuar sytë kah ne për të pritur dritë, rreze shprese për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme ku në vend të darkës të mos shtronim lotët e trishtimin... të largonin angështimin nga zemrat e prindërve tanë me frikën se çka do të bëhej me ne... Harruam se jeta nuk mbaron me kaq, me një mbrëmje e disa orë argëtim... në fakt në perspektivën tjetër, për shumë kë me kaq do të mbaronte argëtimi e kënaqësia për t’ia lënë vendin dëshpërimit e humbjes në humnerën e lotëve, pa ditur se çka tutje...

Po e pyesja veten... po më silleshin vërdallë gjithë këto mendime. Ktheva kokën për të shikuar atë njeriun që ndërroi kahun e mendimeve të mia, që fshiu pluhurin nga sytë e mi, e shumë qetësisht sikur më tha: “Zgjohu, hap sytë! Shiko se si çdo ditë lind e perëndon... e ti fle... kërkon argëtim... kërkon shpërblim për rrugën tënde që ende është “nisër”... gëzoju dhe shfrytëzo çdo ditë deri në atomin e fundit të energjisë... gëzoju dhe falënderohu që toka po të mban, që dielli me rrezet e tij përkëdhel flokët e tu e ngrohë edhe zemrën tënde, që qielli mban në jetë tokën e tharë me shiun që bie, që ti ende po frymon e po jeton e po furnizon barkun tënd me ushqim... e më thuaj a ka argëtim e kënaqësi më të madhe se sa të dish që ke dhe një mundësi që tani e tutje t’i gëzohesh lindjes së diellit se je GJALLË... e se besueshmëria se do të presësh muzgun e mbrëmjes është pashmangshmërisht e vogël...!”

Harruam se është koha kur para syve tanë është shfaqur udhëkryqi i të ardhmes tonë, e nuk ndjehet ajo fryma e kujdesit ndaj tij... nuk kemi menduar për kahun që do të marrim. Duhet t’i hapim sytë e t’i bëjmë katër... të largojmë gjumin nga sytë tanë... ta largojmë koten e të zgjohemi nga ëndrrat e absurdit, e t’i japim ngjyrim tjetër jetës sonë. Mos të lejojmë të përkundemi në iluzione e përsiatje të gjërave të kota, të mendojmë atë që është kapitale, e të bëjmë binarë të fortë që treni të mos devijojë nga rruga që kemi nisur. Të mos lejojmë që velat e anijes tonë të shqyhen nga axhamillëku e pakujdesia që kemi, mos të lejojmë të fundoset ajo në detin e paanë të jetës e të përlahet nga grabitqarët e pamëshirshëm të unët për të ngrënë çdo gjë që ju serviret...
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.