MЁNYRA E ABDESIT

 
Lėnia e namazit ėshtė mėkat i madh PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Gjulije Vehapi   
e mėrkurė. 07 maj 2008
 


 Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pas tyre erdhi një gjeneratë, e cila e la namazin (d.m.th. e humbën namazin e tyre, ose duke mos e falur fare atë, ose duke mos e kryer atë si duhet, ose duke mos e falur në kohën e vet, etj.) dhe i pasuan epshet. Pra, ata do të hidhen në Xhehenem. Përveç atyre të cilët pendohen dhe besojnë në Njësinë e Allahut dhe në të Dërguarin e Tij dhe bëjnë vepra të mira. [Merjem, 59-60]

Dhe, gjithashtu është mëkat për ata që falen por janë të shkujdesur ndaj namazeve të tyre. Për këtë, Allahu, subhanehu ve teala thotë: "Mjerë ata që falen (hipokritët) e që janë të shkujdesur ndaj namazeve të tyre (e vonojnë namazin e tyre prej kohës së caktuar). [Maunë, 4-5]

Gjëja e parë prej veprave të njeriut, për të cilën do të gjykohet ai në Ditën e Ringjalljes është namazi. Nëse këtë e ka të rregullt, atëherë ai do të ketë sukses; nëse ka mangësi në të, ai do të dështojë dhe do të jetë humbës. [Nesaiu, Tirmidhiu, Ibën Maxhe]

Kështu që duhet të kemi kujdes kur ta falim namazin. Namazi duhet të jetë i rregullt dhe duhet falur me sinqeritet, sepse ata që nuk e falin namazin do të futen në Xhehenem.

Duke na informuar për banuesit e Zjarrit, Allahu i Lartësuar ka thënë: "(Njerëzit në Xhehenem do të pyeten) Çka ju bëri që të hyni në Xhehenem? Ata do të thonë: “Ne s’ishim prej atyre që faleshin, nuk i ushqenim të varfrit, flisnim të pavërteta (tërë atë që Allahu e urrente) me ata që flasin fjalë të kota, dhe e përgënjeshtronim Ditën e Kompensimit, derisa na erdhi ajo që është e sigurt (vdekja). Pra, asnjë ndërmjetësim i ndërmjetësuesve nuk do t’u bëjë dobi atyre." [Mudethir, 42-48].

Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve selem, ka thënë: ”Ai që e falë namazin, namazi do të jetë dritë, dëshmi dhe shpëtim për të në Ditën e Ringjalljes, ndërsa për atë që nuk e falë, nuk do të jetë dritë, dëshmi dhe shpëtim për të në Ditën e Ringjalljes. Dhe, në atë Ditë, ai do të shoqërohet me Karunin, Faraonin, Hamanin dhe Ubej bin Khalef (një armik i Islamit prej Kurejshitëve)". [Ahmedi, Taberaniu, Ibn Hibani]

Kurse Ibën Mes’udi, radijallahu anhu, ka thënë: “Ai i cili qëllimisht e lë një namaz të vetëm, kur ta takojë Allahun e Lartësuar, do ta gjejë Atë të hidhëruar”. [Muhamed bin nesr El-Miruezi, Ibn Abdul-Berri]

…Dhe a kemi dëshirë ne për këtë?!

Padyshim se JO, prandaj faleni namazin e mos e hidhëroni Allahun me mosfaljen e tij, sepse Ibrahim El-Nekhiu ka thënë: “Ai i cili e lë namazin, është bërë mosbesimtar”.

Gjithashtu, faleni namazin në kohë, sepse Ibën Hazmi ka thënë: “Nuk ka mëkat më të madh pas idhujtarisë sesa vonimi i kohës së namazit derisa të kalojë koha e tij dhe mbytja e besimtarit pa arsye të drejtë.”

Secili nga ne mundohet të jetë më i miri. Ne mundohemi të bëjmë vepra të mira, por që të na pranohen këto vepra ne duhet ta kryejmë namazin.

Për ju që s’e falni namazin, sinqerisht po ju drejtohem duke ju thënë: ”Faleni namazin, fillojeni sa më shpejt, mos e leni shejtanin të kënaqet me mëkatet e juaja, fillojani namazit, mos e lejoni që t’ju kaloj koha pa e falur namazin, mos harroni se e keni obligim, sepse secili nga ne jemi të shëndoshë mendërisht dhe a nuk duhet ta falënderojmë Allahun për këtë mirësi?! Drejtohuni dhe lutuni Allahut drejtpërdrejt, kërkoni nga Allahu falje, sepse ne jemi krijesa që gabojmë, ne jemi ata që kemi nevojë për ndihmën e Allahut.

Mos e lejoni veten tuaj të jeni nën dirigjimin e shejtanit, mposhteni atë me faljen e namazit, me dhikrin ndaj Allahut, subhanehu ve teala. Pa dyshim se Allahu do t’ju ndihmojë…

Edhe sikur të gjithë drunjtë të bëheshin lapsa dhe të gjithë detet të bëheshin ngjyrë, nuk do të mjaftonin për përshkrimin e mirësive të Allahut.

Prandaj, shpresojmë udhëzimin e Allahut, mëshirën e Tij dhe faljen e Tij, sepse vërtet Ai është Falës dhe e do faljen. Kur Aishja e ka pyetur Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se cila është duaja më e mirë për t’iu drejtuar Allahut, subhanehu ve teala, Muhamedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i është përgjigjur se: “Duaja më e mirë është: “ALL-LLAHUME INNEKE AFUVVUN KERIMUN TUHIBBUL AFVE FA'FU ANNI” (O Allah, ti je Falës dhe e do faljen, andaj më fal mua!)

Prandaj, e lusim Allahun me këtë dua për të na falë neve gjynahqarëve, sepse ne jemi bijtë e Ademit dhe Allahu ka thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë gjynahqarë”.

I Lartë qoftë Allahu Zoti ynë, Atij i takon falënderimi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, kërkojmë faljen Tënde o Zoti ynë dhe tek Ti pendohemi!
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.