MЁNYRA E ABDESIT

 
Injoranca nuk hiqet me top PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e mėrkurė. 23 prill 2008
 
  


"Fto për në rrugën e Zotit tënd me fjalë të drejta, gjykime të qëlluara dhe polemizo me kundërshtarët në formën më të mirë…" (Nahël, 125)

Ky ajet kur'anor sikur na jep të kuptojmë se polemikat dialektike mund të jenë edhe diskutime të ashpra shoqërore me lojëra të ndryshme logjike dhe për t'i mbyllur këto kërkohet të zbatohet në përpikëri metoda e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e cila është më fitimprurësja dhe e cila posedon një besueshmëri aq të lartë sa që s'mund të imagjinohet lehtë.

Pa asnjë vështirësi, çdo njeri mund ta vërejë se çfarë synimi kishte në metodën e tij,  lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Njeriu, pa dyshim, vëren se Muhamedi, alejhis-selam, ka qenë vetëm triumfi i zemrave me anë të fjalëve të bukura si dhe duke i qëndruar besnik urdhrit hyjnor.

Historia shënon dhe ruan me një kujdes të madh e të veçantë shumë shembuj mbi fjalët dhe veprimet e njeriut më me zemër triumfi, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Sa për shtjellim, mund ta shkoqisim rastin në luftën e Uhudit, ku në një çast, idhujtarët e sulmuan rëndë Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Trupi i bekuar i tij i pat rënë nga kali, dhëmbët i qenë thyer, fytyra i qe bërë gjak. Ndërsa, sahabët e hidhëruar rëndë e keq, i thanë: O i Dërguar i Allahut, a s'po i mallkon idhujtarët?

Përgjigja e tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, qe:

"Unë s'jam dërguar si një mallkues, por si një ftues dhe pretekst mëshire! O Zoti im! Fale popullin tim idhujtar dhe i udhëzo se nuk e dinë se ç'bëjnë!"

Transmetohet se Enes bin Maliku ka thënë: Një ditë isha më të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Kishte të veshur një hirkë me anë të trasha. Erdhi pranë nesh një beduin që e tërhoqi aq fort hirkën e tij, saqë anët e qepura trashë të saj lanë shenja në qafën e tij. Pastaj, beduini foli me zë të ngritur: “O Muhamed, mallin që ke pranë ngarkoje mbi këto dy devetë e mia. Ai mall është i Allahut, sepse ti s'ke as nga malli yt e as nga babai yt!”

Pasi heshti pak, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha:

"Po, malli është i Allahut, edhe unë jam rob i Tij". Dhe, shtoi pastaj: "Kjo që më bëre mua, a nuk mund të bëhet edhe ty?"

Jo, u përgjigj beduini.

Pse? - i tha i Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Sepse ti s'i përgjigjesh të keqes me të keqe.

I Dërguari i Allahut qeshi dhe urdhëroi që njërës deve të beduinit t'i ngarkohet elb e tjetrës hurma.

Pasqyrim i vet kësaj ngjarjeje është urdhëresa e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:

"Të keqen ktheje me të mirë", e sot kjo ndodh rrallë në të shumtën e rasteve, jo për tjetër por për arsye se e mira dhe e keqja kanë bërë rokadë në mes vete.

Rrjedhat e jetës sikur edhe kanë filluar t'i marrin kahet në vete ashtu të padirigjuara nga referencat ligjore të drejta. Ndoshta, për shkak të injorancës jo të vogël, e cila edhe është bërë mish e thua me zilinë, madje edhe mes atyre që shquhen miq.

Nëse kësaj bisede ia bashkojmë hadithin e saktë, i cili thotë:

"Shpirtrat janë si ushtri e mobilizuar, ata që njihen në mes vete edhe bashkohen, ata që nuk njihen përçahen."

Ndoshta kjo i ngjan asaj këshillës vetëm në letër, për arsye se vëllazëria, miqësia e  dashuria sot kuptohen vetëm në të shikuarit me njëri-tjetrin dhe takimin formal fizik, kurse afrimi i zemrave dhe pajtimi i shpirtrave sikur i takon vetëm të parëve tanë. Kjo për vet faktin se ekziston injorancë e madhe, e cila i ngjan një force gjigante.

Për çdo njeri jeta e tij disa herë është e ëmbël, disa herë e hidhur, por, assesi s'duhet të jetë e "ëmbël" injoranca, sepse i bëhet armiku më i përbetuar ndaj tij.

Duke kaluar në fundin e temës, dhe këtë me lejen tuaj, do të doja të theksoja edhe një specifikë tjetër, të cilën e sqaron ajeti kur'anor, i cili thotë:

"Mes njerëzve ka të atillë që, nuk kanë as njohuri as udhëzues e as ndonjë libër, polemizojnë rreth fesë së Allahut me mendjemadhësi vetëm e vetëm për t'i shmangur njerëzit nga udha e drejtë…" (Haxh: 8, 9).

E për t'i sfiduar përkrahësit e injorancës me përfitim zemrash të tyre, qofshin ata edhe të ashtuquajtur besimtarë, na duhet urtia profetike e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e jo forca e topit apo artileria ushtarake. Sepse, armiku  mundet edhe me laps e dije e jo vetëm me pushkë e top".
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.