MЁNYRA E ABDESIT

 
"Hajdeni ta forcojmė imanin tonė" PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 14 prill 2008
                                                

 Nga tradita e dobishme e Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte ftesa e tij shumë e shpeshtë drejtuar shokëve të tij: "Hajdeni ta forcojmë imanin tonë". Një cilësi të tillë kaq të mirë dhe shumë dobiprurëse mund ta posedojë gjithsecili që dëshiron, madje edhe pa asnjë vështirësi.

Nuk është e domosdoshme që t’i mbledhësh me dhjetëra njerëz. Këtë mund ta realizosh edhe me pak ose edhe me vetëm ata që i ke afër vetës, por s’ka asgjë të keqe edhe nëse vetveten e fton në një kopsht të tillë mrekullish.

Pa dyshim se imani është diçka që ulet dhe ngritët, por mjekimi i tij me hapa preventivë, me ruajtje të kujdesshme për mosrënie marramendëse, kërkon mësim, metodë si dhe durim. Me rënien e imanit, mund të themi se bie edhe imuniteti i një besimtari ose besimtareje. E kur njeriu nuk ka imunitet, nuk ka as shpresë për të jetuar, sepse demoralizohet nga çdo gjë, madje mund të bie edhe në pesimizëm të thellë e që gradualisht mund të ndeshet edhe me devijimin.

Për t’i shpëtuar tërë kësaj duhet që ta kërkojmë pemën më të mirë, e cila përmban frutat më të shijshëm dhe që kanë më së shumti vitamina, e ajo është pema e dhikrit – përmendjes së Allahut, subhanehu ve teala.
Lidhur me këtë Allahu, i Madhëruar qoftë, thotë:
"Dhe për ata që e përmendin Allahun shumë, si nga burrat edhe nga gratë, Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh." (Ahzabë, 35)

Për t’i dhënë qartësi edhe më të madhe kësaj, po e përmendim njërin prej haditheve të Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë:

"Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe i atij që nuk e përmend është porsi i gjalli me të vdekurin."

Ndjenja e njeriut është e krijuar dhe e prirë që të kërkojë vendet ose kopshtet më të bukura për arsye që të prehet e të qetësohet në to. Mu për këtë, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka këshilluar duke thënë:

"Kur të kaloni nëpër kopshte të Xhenetit, qëndroni nëpër to." Ai u pyet nga të pranishmit e tij me një hamendje që i mbizotëroi ëndjet e tyre në mënyrë automatike, ngaqë e dinin se Xheneti ekziston vetëm në amshueshmëri dhe iu drejtuan duke i thënë: ‘Cilat janë kopshtet e Xhenetit o i Dërguar i Allahut?’ Ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ju tha: "Kuvendet e dhikrit".

Nëse i analizojmë ajetet kur'anore, do të vërejmë se Allahu i Lartësuar gjithçka ka lënë në masë të caktuar, me kufi apo limit, madje edhe privimin e njerëzve e ka bërë aq sa mundet ta përballojë njeriu, kurse pa masë, kufi e limit e ka lënë përmendjen ndaj Tij (dhikrin), saqë për këtë gjë nuk justifikon asnjërin, përveç se të çmendurin.

Siç shihet, Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e ka përjetuar thellë vlerën dhe rëndësinë e dhikrit, andaj i ka ftuar shumë shpesh edhe të tjerët që përmes tij (dhikrit) t’i japin fund harresës dhe neglizhencës.

Ibën Kajjim El-Xhevzijje ka thënë: "Padyshim, zemra ndryshket porsi hekuri, kurse pastrimi i saj arrihet nëpërmjet dhikrit, derisa ta arrijë bardhësinë si pasqyrë". Ai ka vazhduar dhe ka thënë: "Ndryshkja e zemrës shkaktohet nga dy gjëra: neglizhenca, e cila largohet nëpërmjet istigfarit, dhe ndjekja e epshit, e cila e shuan dritën e zemrës dhe e verbon shikimin e saj."

Është më se e vërtetë dhe aspak e vështirë për t’u vërejtur se si shumë njerëz, e sidomos shumë femra e neglizhojnë dhikrin. Ndoshta kishte qenë shumë me rëndësi që të angazhohet një person i zgjedhur, si rasti në fjalë i Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, që sa më shpesh t’ua tërheqë vërejtjen të tjerëve për ngritje të imanit përmes dhikrit. Për arsye se vetitë e tyre plotësisht, në të shumtën e rasteve, iu ngjajnë atyre personave të sëmurë, andaj duhet të alrmohen.

Njëri prej dijetarëve të mëhershëm që quhej Sehl ka thënë: "Nuk di gjynah më të shëmtuar se ta lësh përmendjen e Krijuesit tënd."

Padyshim, duhet të pajtohemi unanimisht me këtë urti, sepse ai njeri, i cili shmanget, neglizhon ose që e ka të rëndë në gjuhën e tij përmendjen e Allahut, i ka të lehta të gjitha mëkatet e mundshme.

Është me vlerë dhe rëndësi të përmendet në këtë rast përsëri është fjala e po këtij dijetari i  cili ka thënë: "Në çdo ditë Allahu thërret robin e Tij: “Robi im - Unë të përmend dhe ti më harron Mua, Unë të ftoj dhe ti shkon tek të tjerët, Unë t’i largoj belatë dhe ti akoma qëndron mes gjynaheve? Çfarë do të më thuash kur të vish nesër tek Unë?!...

Dhe, jo rastësisht Allahu e urdhëron të përmendurit ndaj Tij (dhikrin). Tregohet se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur kishte kaluar një ditë pranë shokëve të tij, i kishte pyetur: “Përse jeni ulur këtu?” Iu përgjigjën: ‘Po përmendim Allahun dhe po e falënderojmë Atë.”
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, atëherë u ka thënë: "Më erdhi Xhibrili dhe më tha se Allahu po krenohet me ju para Melekëve."

Ndërsa, Ibën Kajjim El-Xhevzijje ka thënë: “Dhikri ndaj Allahut largon nga zemra mërzinë dhe mëkatet, mbjell në zemër kënaqësinë dhe gëzimin si dhe ndriçon fytyrën dhe zemrën.”

Kurse në fund, i lutem Allahut që të na bëjë prej besimtarëve, që gjuhët tona të jenë të lagura gjithnjë vetëm me përmendjen e Tij! Amin!
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.