MЁNYRA E ABDESIT

 
Tė drejtat e fėmijėve le tė bėhen realitet PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e mėrkurė. 09 prill 2008
 

             

Çdo shoqëri e përparuar e botës shpreson dhe pret që fëmijët, kur të rriten të bëhen qytetarë të aftë, të ndershëm e të përgjegjshëm për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë së cilës i takojnë, edhe pse në shumicën e rasteve nëpër vendet e ndryshme të botës e gjithsesi edhe fëmijët e Kosovës ballafaqohen me dhunën në rrugë, në familje, me përdorim të drogave si dhe me shfrytëzim e shpërdorim seksual.
Nuk anashkalohet as realiteti tjetër se shumë fëmijë punojnë me orë të tëra punë të rënda fizike të cilat ua dëmtojnë shëndetin dhe ata s’kanë mundësi as të pushojnë, mësojnë e lëre më të argëtohen. Veç u tha më lart se një fat të tillë e kanë edhe shumë fëmijë shqiptarë të të gjitha vendeve shqiptare të cilët i ka shkelur etapa e mjerimit që nga paralufta në Kosovë e Maqedoni. Nëse fokusohemi për të drejtat e fëmijëve, doemos duhet të përmendim se të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat e fëmijëve në veçanti janë një ndër vlerat themelore të një shoqërie demokratike. Këtu i përfshijmë moshat prej 0 muaj deri në 18 vjeç.
Për të qenë më e qartë në trajtimin e temës në fjalë, do të ndalem në diskutimin e disa pikave që kanë të bëjnë me aspektet e të drejtave të fëmijëve.
Pa dyshim se të drejtat e fëmijëve kanë të bëjnë me të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë:

-         
Mbrojtjen e fëmijëve nga diskriminimi, detyrimi (për shkak të gjendjes së rëndë ose të mjerë familjare), veprimtarisë, bindjes, fesë së cilës i takojnë, etj.
-          Mbrojtjen e interesave të larta të cilat ju takojnë fëmijëve (gjykata, autoritetet sociale, etj.)
-          Ushtrimi i të drejtave sipas Konventës.
-          Përgjegjësitë e prindërve për rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.
-          Të drejtat për mbijetesë dhe zhvillim.
-          Të drejtat për emër e autoritet të lartë shtetëror (pa marrë parasysh besimin që i takon, duhet të respektohet e drejta e tij në të arriturat që mund t’i gëzojë).
-          Të drejtën për lirinë e shprehjes së opinionit dhe fesë, sidomos asaj fetaro-islame.
-          Lirinë e shoqërimit të fëmijëve (të mos shikuarit në ta me synim cinik siç ndodh sot një realitet i tillë ndaj atyre që praktikojnë fenë).
-          Mbrojtjen e jetës private.
-          Të drejtën për një informacion të përshtatshëm (p.sh. e drejta për një emision televiziv shtetëror me tematikë e përmbajtje kulturo-fetare islame).
-          Mbrojtjen nga keqtrajtimet dhe abuzimet.
-          Mbrojtjen e të rinjve dhe fëmijëve të cilët janë pa familje.
-          Mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
-          Të drejtën në shëndet dhe shërbime mjekësore (pa ndonjë anashkalim dhe tendencë për shkak se i kanë prindërit praktikues të fesë ose janë vetë praktikues të fesë).
-          Të drejtën e arsimimit (jo të shtypen e nënçmohen pse janë fetarë).
-          Të drejtën kulturore, edhe për çështje fetare.
-          Të drejtën për dëfrim, argëtim, etj. (në sallat publike, pa pagesë ose me një pagesë shumë të arsyeshme ashtu siç e bëjnë të tjerët).
-          Mbrojtjen nga puna e dëmshme dhe shfrytëzimi.
-          Mbrojtjen nga përdorimi dhe trafikimi i drogave.
-          Mbrojtjen nga rrëmbimi, shitja e tregtimi me trupat e tyre (fëmijëve).
-          Trajtimi me drejtësi i fëmijëve dhe të rinjve.
-          Mbrojtjen nga torturat dhe privimet e lirisë (p.sh. të jenë të lirë në zbatim të obligimeve Hyjnore, si bartja e shamisë).
-          Mbrojtjen nga konfliktet e armatosura.

Të gjitha këto të drejta me siguri se e kanë bazën e tyre në aktet juridike ndërkombëtare dhe në aktet juridike të sistemit të brendshëm juridik të shtetit. Edhe pse aktualisht në aspektin praktik realizimi i këtyre të drejtave nuk është në nivelin e standardeve ndërkombëtare, kjo duhet të arrihet sa më shpejt që është e mundur, për arsye se nuk është e drejtë të shkatërrohet asnjë gjeneratë e asnjë njeri ose fëmijë siç është shembulli në fjalë për të drejtat e fëmijëve të cilat ju mungojnë thuajase në çdo sferë të jetës.

Edhe pse jemi në muajt e parë të lindjes së shtetit tonë, asgjë e asnjë ligj nuk e arsyeton askënd t’ia mohoj të drejtën tjetrit e lëre më t’i bëhet trysni e shkelje drastike mbi të drejtën që i takon e që një të drejtë të tillë e gëzojnë të gjitha vendet e zhvilluara demokratike.
Nëse mendojmë, analizojmë dhe vështrojmë drejt, në çdo vend dhe rrugë të Kosovës shohim shumë fëmijë të cilët iu drejtohen qytetarëve duke ju thënë: "A doni cigare, a doni kartela telefoni, a doni mbushje telefoni, a doni karrocë, a ke 10 centë për bukë, jam jetim, a ke diçka të më falësh, etj." Fatkeqësisht këto raste janë bërë një realitet i hidhur i së përditshmes sonë.
A thua vallë, mund t'u themi këtyre fëmijëve se ky është sigurim i kushteve për jetë dhe zhvillim normal nga ana e shtetit. Ose edhe më keq, se këta janë fëmijët e keqtrajtuar seksualisht e të kontrabanduar me trafikime të ndryshme!?

Problem tjetër e që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve është edhe moskujdesi ndaj atyre fëmijëve të cilët janë pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë, pastaj mungesa e institucioneve adekuate për fëmijët me aftësi të kufizuara e që numri i tyre është mjaft i madh.
Problem jo i vogël e që ka të bëjë me të drejtat e fëmijëve është edhe çështja e arsimimit të tyre. Ekziston një numër i madh i atyre fëmijëve të cilët nuk vijojnë ose ndërpresin mësimet e fillores, e që kjo duhet t'ju bëhet falas kur është nevoja për raste specifike.
Mandej, mungesa tjetër e të drejtave të fëmijëve është ekzistimi i një numri shumë të madh të tyre të cilët punojnë punë të rënda dhe të dëmshme vetëm e vetëm që të sigurojnë një kafshatë buke (si punëtorë fizik, shitës të gjësendeve të ndryshme nëpër rrugë, etj.)

E drejtë tjetër e tyre e parealizuar është mungesa e aktiviteteve parandaluese kundër drogës, mungesa e institucioneve për shërim dhe rehabilitim të atyre që tanimë vetëm kanë rënë pre e konsumimit të drogave.
Mungesë tjetër e të drejtave tanimë e theksuar është edhe, mosliria e praktikimit të ndonjë obligimi fetar si për shembull mbajtja e shamisë në kokë për vajzat. Është bërë si i rëndomtë në përditshmërinë e disa "intelektualëve" largimi i nxënëseve nga institucionet shkollore nëse shkojnë me mbulesë në kokë .
Këtë gjest - largimin nga shkolla të nxënëseve të tyre - e konsiderojmë si një gjest shumë të ulët si dhe një dobësim të imunitetit intelektual të tyre. Për arsye se, puna më e lehtë është ta hudhësh fëmijën në rrugë, por mençuria është tek ajo që ta trajtosh mu si fëmijën tënd dhe të mundohesh të formosh raporte të përafërta me të e më shumë se kjo ta vetëdijësosh veten se ajo është njëra ndër pasardhëset e popullit e cila me daljen tënde ose kolegëve të tu në pension, të zëvendëson, sepse ti po i jep shansin dhe mundësinë të jetë kuadro i mirëfilltë dhe pjesë e shëndoshë e shoqërisë, kurse e kundërta e tërë kësaj ndodh nëse lejohet t’i shkelen të drejtat e saj (nxënëses) e të largohet nga shkolla, si pasojë e asaj që ka ditur të kultivojë  vetëm periudha e pesë decenies komuniste në vendin tonë.
Lidhur me këtë, nëse pretendojmë të jemi vend demokratik i cili respekton dhe synon të zbatojë të Drejtat e Konventës Ndërkombëtare, ta shkoqisim shembullin e Londrës sa për mostër, një vend i ngritur dhe shumë i zhvilluar në të gjitha kulturat, aspak nuk e sheh pengesë të drejtën fetare të asnjë besimi e sidomos të atij islam. Për shembull, në Londër mësuesja shkon në klasë para nxënësëve me  shami dhe zhvillon mësimin e saj pa asnjë problem, ose edhe nxënësja shkon në shkollë fillore, të mesme, me shami dhe assesi nuk pengohet nga askush as nga drejtoria e as nuk ndihet e ofenduar nga shoqet ose shokët e klasës. Mjerisht te ne ende ndodh e kundërta dhe nuk dihet se sa do të zgjasë.
Duke patur parasysh të kaluarën dhe aktualitetin lidhur me të drejtat e fëmijëve, për perspektivën e respektimit të këtyre të drejtave që u cekën më lart, mendojmë se me rëndësi themelore janë disa masa të karakterit të përgjithshëm e të veçantë.
E drejtë dhe e rrugës është që të formohen baza ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Pastaj, të bëhet edhe ngritja e bazave ekonomike-shoqërore, në veçanti për plotësimin e nevojave të fëmijëve.
Të formohet edhe një ligj që ka të bëj me mbrojtjen adekuate institucionale të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të drejtave të fëmijëve në veçanti.
Të bëhet themelimi i një Divizioni (Departamenti) të veçantë për të Drejtat e Fëmijëve në nivel të Qeverisë së Kosovës i cili do të merrej me çështjet e përgjithshme që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve në përgjithësi pa anashkalim të atyre fëmijëve të cilët praktikojnë fenë.
Si dhe nxjerrja e ligjit mbi të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ne themi se realizimi i këtyre objektivave themelore është respektim i të drejtave të fëmijëve në veçanti, si dhe respektim i vlerave të tjera në shoqëri e që ka rëndësi jetike për gjithë popullin tonë.
Nisur nga kjo, nëse të drejtat e fëmijëve bëhen realitet, atëherë edhe ne edhe fëmijët do të kemi jetë dhe shtet të mirë e pa probleme, ngaqë fëmijët janë e ardhmja e një populli e që duhet ruajtur, kujdesur e çmuar. 

 

  
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.