MЁNYRA E ABDESIT

 
Kėshilla tė rėndėsishme pėr shtatzėnat PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Merita Qehaja   
e shtunė. 22 mars 2008


Kujdesi i dhëmbëve

Që në fillim të shtatzënisë duhet të bëhet kontrolli i dhëmbëve dhe të rregullohen sa më shpejt që është e mundshme që të parandalohet prishja e mëtutjeshme e tyre. Nuk ben që të bëni fotografimin e dhëmbëve nëse jeni shtatzënë, pasi rrezet e Rëntgenit mund të dëmtojnë foshnjën tuaj.

Marrja e barnave

Acidi folik preferohet që të merret dy muaj para shtatzënisë si dhe gjatë muajve të parë të shtatzënisë pasi ai merr pjesë në formimin e trurit dhe të shtyllës kurrizore të foshnjës. Marrja e kalciumit është po ashtu e rëndësishme gjatë shtatzënisë pasi merr pjesë në formimin e strukturës kockore dhe të dhëmbëve. Marrja e kalciumit duhet të fillojë në muajin e pestë. Barnat e tjera gjatë shtatzënisë merren vetëm me konsultimin e mjekes.
Vërejtje: Mos merrni asnjë bar pa e konsultuar mjeken paraprakisht.

Ultrazëri

Ekzaminimi me ultrazë është një ekzaminim i rëndësishëm në shtatzëni. Ultrazëri i parë duhet të bëhet në javën e 8-12 të shtatzënisë. I dyti në javën e 20 ose të  23-të dhe i treti në javën e 36-të të shtatzënisë. Kur shtatzënia zhvillohet normalisht këto ekzaminime me ultrazë janë të mjaftueshme. Ultrazëri mund të bëhet edhe më shumë herë, varësisht prej gjendjes së shtatzënisë dhe në marrëveshje me gjinekologen.

Veshmbathja gjatë shtatzënisë

Veshja gjatë shtatzënisë është një element i rëndësishëm për ju:
- Vishni rroba që nuk e shtypin dhe nuk e shtrëngojnë barkun
- Mos përdorni rrypa për bel, që e shtypin barkun
- Është e preferueshme që rrobat tuaja të jenë mundësisht prej pambuku
- Përdorni këpucë me take të ulëta, shmanguni sa më shumë nga këpucët me take të larta.

Marrëdhëniet seksuale gjatë shtatzënisë

Disa njerëz mendojnë se gjatë shtatzënisë nuk duhet kryer marrëdhënie seksuale. Kjo nuk është e vërtetë. Nëse shtatzënia zhvillohet në mënyrë normale  dhe nëse ju dëshironi të keni marrëdhënie atëherë ju mund të vazhdoni ato normalisht. Marrëdhëniet seksuale nuk lëndojnë fëmijën pasi qafa e mitrës është e mbyllur plotësisht. Nëse më parë keni patur një abort spontan, atëherë konsultoni mjeken për gjendjen tuaj dhe për mundësinë e marrëdhënieve seksuale gjatë shtatzënisë.

Shenjat e rrezikut gjatë shtatzënisë

Shenjat e lindjes së parakohshme

Dhembjet përreth belit dhe ato të barkut kur janë të përsëritura (pandërprerë) para kohës së paraparë për lindje mund të jenë shenja rreziku për lindje të parakohshme. Nëse keni këso lloj dhembjesh atëherë shtrihuni menjëherë në shtrat dhe mbani këmbët më lart se kokën dhe rrini disa kohë kështu derisa dhembjet të pushojnë. Nëse edhe më tutje dhembjet vazhdojnë të jenë të njëjta atëherë kërkoni ndihmë mjekësore.

Shtypja e lartë e gjakut
Gjatë shtatzënisë duhet që të bëni matjen e rregullt të shtypjes së gjakut.
Gruaja shtatzënë që ka shtypje të lartë të gjakut ka këto ankesa:
- zhurmë në vesh
- miza para syve
- dhimbje në lukth dhe
- skuqje në fytyrë.
Shtypja e lartë e gjakut zakonisht paraqitet pas muajit të pestë, por te disa femra kjo mund të paraqitet qysh në fillim të shtatzënisë dhe kjo ngadalëson zhvillimin e fëmijës. Nëse vëreni se keni shtypje të lartë të gjakut, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

Ënjtja e trupit

Nëse gjatë shtatzënisë keni një ënjtje të këmbëve, duarve dhe fytyrës e cila përcillet me kokëdhimbje, marramendje dhe nganjëherë me pamje të mjegulluar këto janë shenja rreziku dhe duhet menjëherë të lajmëroheni te mjekja.

Gjakderdhja vaginale

Gjakderdhjet nga vagina po ashtu janë shenjë rreziku gjatë shtatzënisë. Nëse keni gjakderdhje gjatë kohës kur jeni shtatzënë atëherë kërkoni ndihmë mjekësore.

KËSHILLA TË ARTA

1) Vërtetoni shtatzëninë me anë të testit apo ultrazërit.
2) Vizitoni rregullisht mjeken gjatë shtatzënisë.
3) Mos u brengosni shumë për ankesat që keni, shtatzënia është ndryshim normal në jetë.
4) Ushqehuni me rregull dhe me ushqim të begatshëm, me lëndët e nevojshme ushqyese si dhe merrni tableta multivitamina shtesë.
5) Kujdesuni për higjienën personale.
6) Mundohuni që veshja juaj të jetë sa më e përshtatshme.
7) Mos përdorni barna pa konsultim të mjekes.
8) Nuk lejohet konsumimi i duhanit dhe alkoolit.
9) Mos përdorni helmet dhe lëndet e tjera kimike (për stërpikje të  pemëve apo për pastrim).
10) Lajmërohu tek mjekja menjëherë nëse ke ndonjërën prej shenjave të rrezikut si: gjakderdhje, shtypje të lartë të gjakut, ënjtje të duarve dhe këmbëve, etj.

Lusim All-llahun, subhenehu ve teala, që të na dhurojë fëmijë të hajrit dhe të  shëndoshë dhe shpresojmë që këto këshilla do t’ju bëjnë dobi atyre nënave që  janë shtatzëna dhe presin që të lindin fëmijë të shëndoshë! Amin!



 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.