MЁNYRA E ABDESIT

 
“ E vėrteta nuk mund tė jetė gabim, edhe nėse askush nuk e dėgjon” PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 11 mars 2008
Në vitet e para të luftës, gjatë luftës si dhe gjatë transicionit demokratik, fëmijët dhe adoleshentët janë sulmuar disa herë nga ngjarje shumë tronditëse dhe rrëqethëse të cilat kanë lënë gjurmë në formësimin dhe psikologjinë e tyre.

Gjithçka që shikohet në televizor, dëgjohet në radio, lexohet në shtypin ditor dhe në revista, nuk kalon pa u vënë re dhe pa lënë gjurmë tek nxënësit, fëmijët dhe tek të rinjtë  adoleshentë. Deshëm apo s’deshëm, ata janë nën trysninë e realitetit ku jetojnë, ndoshta për faktin se mosha e tyre është shumë e ndjeshme, delikate, thithëse si dhe reaguese. Madje ka gjëra të rrezikshme që i tundin ata duke i përfshirë në vorbullat e tyre dhe duke e vënë të ardhmen e tyre në rrezik përherë.

Shumë psikologë, pedagogë dhe punëtorë të shëndetit mendor kohët e fundit kanë bërë përpjekje t’i japin përgjigje pyetjes se sa ndikon shikimi i programit televiziv me përmbajtje të dhunshme në formimin e personalitetit të fëmijëve dhe të rinjve adoleshentë.

E dimë se fëmijët dhe të rinjtë një pjesë të madhe të kohës gjatë ditës e kalojnë para ekranit televiziv (supozohet 5-7 orë). Gjithashtu, e dimë se niveli i shfaqjeve të skenave të dhunshme në televizion, pas përfundimit të luftës është i lartë. Andaj, gjithnjë shtrohet pyetja se a ndikon shikimi i krimit dhe i dhunës tek fëmijët dhe adoleshentët?

Të dhënat tregojnë se ndikimi është i dhunshëm (domethënë ndikojnë).

Kjo vjen për arsye se që në orët e para të mëngjesit, gjatë gjithë ditës dhe deri në mbrëmje, ata (fëmijët dhe të rinjtë adoleshentë) çoroditen nga lajmet sensacionale dhe të bujshme të televizioneve si nga vendi ashtu edhe nga bota.

Dëgjojnë për ngjarje të dhunshme, për krime, rrëmbime, pengmarrje, vrasje, përdorim të drogës, prostitucion, trafikim fëmijësh, akte rrugaqërie, provokime, kërcënime dhe në vazhdimësi të saj arrijnë deri tek e dhimbshmja edhe më acaruese që shkakton probleme të mëdha shpirtërore dhe psikike - papunësia e prindërve të tyre apo varfëria e skajshme.

Të gjitha këto pandërprerë gërvishin mendjen dhe përfytyrimet e brishta të fëmijëve dhe të rinjve adoleshentë, të cilët ndihen të hutuar po edhe të zhgënjyer, pa mundur ta kuptojnë fare funksionimin e kësaj bote, luftën dhe përplasjet e egra që bëhen në të (luftën për pushtet, etjen dhe pangopshmërinë për t’u pasuruar me çdo kusht, egoizmin, zilinë që demonstrojnë shumë njerëz ndaj njëri-tjetrit, pa mundur ta kuptojnë se ata të cilët organizojnë gjithfarë lojërash të fatit, të gjithë e kanë hallin e xhepit të tyre dhe vetëm të fëmijëve të tyre).
Dukuritë e tilla e coptojnë dhe e thyejnë zemrën e pastër të fëmijëve dhe adoleshentëve, e njollosin, e përlyejnë bardhësinë e ëndrrave dhe dëshirave të tyre të çiltra.

Për fëmijët dhe të rinjtë adoleshentë ngarkohemi të gjithë me përgjegjësi, për ta duhet të kujdeset e gjithë shoqëria, shteti me institucionet e tij, organizatat dhe shoqatat joqeveritare, mediat, familja dhe çdo qytetar i vendit.

Mediat e shkruara dhe televizonet duhet t’i kenë në qendër të vëmendjes problemet e edukimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Mediat e përkushtuara, të vëmendshme dhe të ndërgjegjshme nuk presin që të shpërthejë skandali dhe pastaj të shkruajnë e të flasin për të, por duhet të jenë parandaluese që ato të mos ndodhin.

Shoqëria, shteti dhe mediat u detyrohen fëmijëve të varfër, fëmijëve dhe adoleshentëve që braktisin shkollën, që vishen dhe ushqehen keq madje edhe me të palejuarën, t’u bien kambanave alarmuese e të mos qëndrojnë indiferent ndaj këtyre rasteve, kur fëmijëve u rrëmbehen, acarohen, mirren të drejtat e tyre dhe në vend që të dërgohen në shkollë ata nxirren në treg ose kindapohen, trafikohen, etj.

Fëmijët nuk kanë nevojë për mëshirë, por për të drejtat e tyre që ju takojnë e që doemos duhet t’ju realizohen. Kujdesi për ta duhet të jetë kryefjalë e shoqërisë, duhet të jetë kryeartikull dhe kryelajm i mediave…

                                     Pjesa e I
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.